Ekonomia do tkurret me -6.4%/ Parashikimi i institutit vjenez për Shqipërinë


Instituti i Vjenës ka zhvlerësuar më tej projeksionet për ekonominë shqiptare këtë vit.

Sipas raportit të fundit, ekonomia e vendit pritet të tkurret me -6.4% gjatë 2020-ës, nga -5% që ishte parashikuar në fillim të majit, teksa jep sinjale pozitive për vitin e ardhshëm .

Ndërsa vlerëson se rimëkëmbja do të jetë e ngadaltë për shkak të krizës që ka shkaktuar pandemia, Instituti i Vjenës pret që ekonomia shqiptare të rritet me 4.6% në 2021, parashikim i ngritur mbi një skenar që nuk përfshin një mbyllje të dytë totale.  

Teksa pandemia vijon të shkaktojë presion mbi financat publike, ekspertët e Vjenës vlerësojnë se menaxhimi i borxhit publik në këto kushte do të bëhet i vështirë për ta mbajtur në nivele të qëndrueshme .

Sa i takon vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, Instituti i Vjenës vlerëson se recesionin më të thellë do ta përjetojë Mali i Zi, ekonomia e të cilit pritet të bjerë me 9% këtë vit për shkak të varësisë së lartë që ka nga turizmi.

Pikërisht goditja që ka marrë industria turistike ka vënë në vështirësi të mëdha edhe ekonominë shqiptare, e cila renditet e dyta në rajon për rënien më të thellë ekonomike ndjekur nga Maqedonia, teksa pritet që rëna të jetë më e moderuar për Kosovën, Bosnje Hercegovinën dhe Serbinë, ekonomia e të cilës pritet të tkurret me vetëm 2% këtë vit.

Në kushte të tilla, kur shumë prej shteteve në botë po i rikthehen masave kufizuese për shkak të parandalimit të përhapjes së pandemisë Covid-19, ekspertët e Vjenës apelojnë qeveritë e vendeve të rajonit që të vijojnë mbështetjen ndaj individëve dhe bizneseve  më të prekur nga kriza.

Top Channel


Source link
Leave your comment
Comment
Name
Email